Konferenca e Programit të USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET “Zhvillimi i kompetencave për jetë dhe punë drejt vetëqëndrueshmërisë”

Data e Publikimit 30 Nëntor 2020

Programi "Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt" - ASSET organizoi konferencën e dytë kombëtare për sektorin e arsimit në Kosovë. Konferenca inkurajoi ndarjen e praktikave dhe të kuptuarit rreth zhvillimit të kompetencave për jetë dhe punë të nxënësve të shkollave të mesme të larta. Barrierat dhe sfidat në zbatimin e mësimdhënies së bazuar në projekte, vlerësimit për të nxënë, përdorimit të teknologjisë në mësim, dhe në krijimin e partneriteteve ndërmjet komunitetit shkollor dhe bizneseve, tema këto që u diskutuan gjatë sesioneve të zhvilluara para konferencës, gjatë 16-19 nëntorit.

Konferenca mirëpriti kontributet nga palë të ndryshme të sektorit të arsimit duke përfshirë: mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, zyrtarët komunalë të arsimit, përfaqësuesit e MASh-it, organizatat partnere dhe përfaqësuesit e bizneseve që bashkëpunojnë me shkollat.

Sesioni plenar i konferencës u mbajt në 25 nëntor. Në këtë sesion, përfaqësues nga MASh, USAID dhe Programi theksuan rëndësinë e zbatimit të praktikave të vendosura përmes Programit, të cilat synojnë të përgatisin nxënësit për jetë dhe punë të shekullit 21.

Një pjesë specifike e konferencës u përqendrua në rekomandimet nga diskutimet për temat e mëposhtme:
• Përdorimi i teknologjisë në procesin arsimor
• Vlerësimi për të nxënë dhe vlerësimi i shkathtësive të buta
• Zbatimi i mësimdhënies së bazuar në projekte në shkolla
• Lidhja shkollë-komunitet-biznes

Rekomandimet nga konferenca do të ndahen me shkollat partnere dhe palët e tjera të interesit. Programi do të vazhdojë të zbatojë aktivitetet e parapara, si dhe të koordinohet me palët e interesuara për të adresuar rekomandimet për qëndrueshmërinë e aktiviteteve.